Uratë për liri
Merr uratën, bir, prej meje
edhe armët i gatit,
se erdh dita e shënuar
dolli ylli e na ndrit.
Është Ylli i Lirisë
me të tjetër nuku ngjet;
Shqipëria kaqë shumë
këtë yll që po e pret.
Djemt' e saj le ta dëftejnë
kush mban emër shqipëtar
që s'ka kurrë me duruar
ta urdhëronjë një barbar.
Vdekje, djema, të kërkoni
për të shenjtënë liri,
se rrojtjen përse e doni
nënë zgjedh' e robëri?
Rrojtja pa nder është vdekje,
po një vdekje e pambuluar,
e kur vdes për mëmëdhenë
je i gjall', i paharruar.
Të gëzuar atëherë,
kur për juve do të mësojnë
që për mëmëdhen' u vratë
me këngë do t'u mbulojnë.
E do shkruajnë mbi varr
që ju vdiqët për lirinë,
pranë Flamurit Kuq e Zi
e nderuat Shqipërinë.
A të kthyerë nga lufta
burrërisht ose plagosur,
nënat tuaj' me gaz shumë
u kanë për të qafosur.
E kurora trëndafilta
përmi krye do t'u ngjeshin,
edhe emrat do t'u rrojnë,
kurrë, kurrë të mos vdesin.
Andaj, bir, pa ndarë dua
përmbi armët të betosh
që i vdekur a i gjallë
kthehesh ti të më nderosh.
Si i dha uratën djali,
mori armët e betoi:
"Për lirin' e Shqipëris',
tha, do vdes", e fluturoi.
No comments:
Post a Comment