Friday, January 13, 2023

Ngjarja e tmerrshme ndodhi, më 13 janar të vitit 1751.

 



120 vite më pas, në të njëjtën ditë të ngjarjes, më 13 janar 1871, lindi në Korçë, Rilindasi Mihal Grameno.
"Varr' i Pagëzimit" ndodhet në Vithkuq të Korçës. Shkaktari i kësaj tragjedie familjare ishte kleriku antishqiptar, djalli me veladon, Kozma Etoliani.
Nga veprat e Mihal Gramenos, po shkëputim njërën prej tyre...
"Varr’ i Pagëzimit", u botua në Selanik, më 1909, në shtypshkronjën "Mbrothësija" të atdhetarit, Kristo Luarasi.
Subjekti i këtij "Romani dramatik" (si e quajti Grameno), u vendos në Vithkuqin e vitit 1751, ku në këtë vend ngjau një tragjedi e madhe.
Dy të rinj u dashuruan dhe vendosën të martoheshin. Pas dy vitesh, lindi pasardhësi djalë i kësaj familjeje. Sipas zakonit të kohës, ndrikulla, duhej ta çonte ditën e dielë në Mitropolinë e Korçës foshnjën e sapolindur për ta pagëzuar. Ky veprim do të shuante një familje të tërë, pasi komploti që vendosi prifti i Mitropolisë bashkë me Dhespotin, ishte i tillë që familja duhet të hiqte dorë nga ndjenjat kombëtare dhe nga të përhapurit e gjuhës shqipe dhe ta zëvendësonte këtë me gjuhën "e bekuar" greke.
"Tani vëllezër, duhet të mendohemi mirë me çfarë udhë edhe mënyrë të zëmë, që të mundim t’i sjellim në udhë të drejtë duke kuvenduar vetëm të bekuarën gjuhë të Perëndisë, greqishten e të harrojnë këtë gjuhë të mallkuar që kuvëndojnë!" (faqe 15 - sipas botimit të vitit 1909), u tha Dhespoti priftërinjve të Mitropolisë.
Në momentin kur ndrikulla (kumbara) shkoi me foshnjën para priftit për të kryer ritin e Pagëzimit, ky i fundit nuk pranoi ta kryente ceremoninë, pasi gruaja nuk dinte greqisht dhe madje para tij denjoi të mbronte gjuhën shqipe, duke thënë se: "Këtë gjuhë uratë, e kemi mësuar duke thëthirë qumështin e mëmave dhe me këtë gjuhë do të vdesim, e jo shkëlqesia juaj ta mallëkoni!" (faqe 27).
Këto fjalë e zemëruan priftin grekoman, i cili nuk pranoi të pagëzonte fëmijën nëse familja nuk hiqte dorë nga gjuha shqipe. Të njëjtën përgjigje, mori edhe nëna e foshnjës para Dhespotit e kështu, nëpër të ftohtin e asaj dite janari, po ktheheshin në Vithkuq. Por, rrugës fëmija nga ngrica e madhe kishte vdekur. Nëna e tmerruar vdiq edhe vetë mbi trupin e pajetë të djalit të saj. Babai i foshnjës u trondit dhe u largua nga shtëpia, ndërsa prindërit e këtij të fundit, vdiqën po atë ditë. "Të këtillë fund mori këjo dram’ e tmerruar për të kënaqur fen’ e Krishtit!" (faqe 32), - shkroi Grameno në fundin e pjesës së parë të romanit.
Në pjesën e dytë autori tregon jetën e personazhit të mbetur gjallë nga familja, që përshkruhet me ndjenjë nga autori. Ai jetonte i vetëm në një pyll të thellë dhe çdo 13 janar, data e ngjarjes së tmerrshme, ai shkonte te “Varri i Pagëzimit”. Pas 50 vitesh të kësaj historie, vdiq dhe ky i fundit.
"... koha dhe lëndina hodhën harimnë përmi "Varr të Pagëzimit’!" - shkroi Grameno në fund të librit.


No comments:

Post a Comment