Spiro Bellkameni
Poezi nga Perikli Jorgoni (1936- 2012)
1. Dhe vjen si erë, dhe shkon si erë, Dhe pse nuk është erë, Por trim azgan me tallagan E vezme me fishekë. Koburen nxjerr, në ballë e merr Kadiun, zbehur, mekur, A një gallof, dhespotin Fot E plas përdhe të vdekur.
2. Edhe kjo ndodh, si gjithnjë ndodh, Sa hap edhe mbyll sytë. Taverna mbet, pa zë, e shkretë, Veç me një tis të tymtë. I sulen pas, plot me maraz, Hafije e xhandarë. Por shpejt u shket nëpër shkorret, Ndër ledhe e mullarë.
3. Pastaj mbi kalë endet në mal Me çetën luftëtare, T’i ngrejnë pritë në çdo koritë Koshadhes zullumqare. Dhe befas zbret risht në qytet Nga shtegu nëpër thekër, Veshur tebdil si një veqil, A një dervish me mjekër.
4. Dhe sa u gdhi, si me çudi, Korça dëgjoi e qeshi, Se mbrëmë i fshehtë, me dhjetë vetë, Erdh Spiro Bellkameni, Se tej në burg, shpejtas në muzg U hap dera, të nxjerrë Shokët e tij e mbi dori U zhduk sërish si erë.
5. Dhe s’ka mbi dhe gjëmë e rrufe, T’ia presë vrullin, hapin. Nuk ka mallkim dhe as dënim, Në gjak akull t’i kallin. Nuk ka as top, rrebesh e shqotë, Ta trembi e ta ndali, Ndaj breg më breg dhe krep më krep Sulet si shqipe mali.
6. Ndaj vjen si erë, dhe shkon si erë, Dhe s’është aspak i qetë. Gjithnjë vrapon, ku e kërkon Detyrë e luftë e rreptë. Dhe ngjit një mal, a zbret një zall E ec plot mall nën hënë, Që pa zinxhirë edhe të lirë Ta shohim mëmëdhenë.
Durrës, më 26 tetor 2012
No comments:
Post a Comment